Tiranë | Rama: Zhvillimi i integruar urban, sfidë e madhe e qeverisë

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në promovimin e “Atelier Albania”, zyra e konsulencës për çështjet e zhvillimit urban, tha se ka një vlerë shumë të rëndësishme sepse u krijon mundësi të gjithë aktorëve në këtë fushë, të bëhen pjesë e procesit të zhvillimit urban. Rama tha se për mbi 20 vite ajo çka kemi planifikuar nuk është përputhur asnjëherë me atë çka kemi realizuar, në infrastrukturë, zhvillime publike apo private që kanë ndodhur në territor. E rëndësishme, sipas kreut të qeverisë, është të ndërtohet një kulturë e re në sjelljen tonë me territorin, pasi është një pasuri e kufizuar nga ku ne mund të krijojmë pasuri të reja nëse dimë ta përdorim me instrumentat e duhur. Rama solli projektin e vijës bregdetare të Vlorës, si eksperiencën e parë nga ku do startojë zhvillimi urban i integruar. “Nesër kemi eksperiencën e parë shumë të rëndësishme të një konkursi ndërkombëtar për një pjesë jashtëzakonisht delikate dhe jashtëzakonisht strategjike të territorit, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të integruar, urban, ekonomik dhe social të vendit, konkursin për vijën ujore të qytetit të Vlorës”. Rama vlerësoi se roli i atelies në këtë proces është shumë i rëndësishëm, në kushtet kur kërkohet një mirëkompozim i të gjithë elementëve, i idesë dhe realitetit me instrumentat financiare dhe ato teknikë që ne kemi në dispozicion dhe që sipas tij nuk janë të pakufizuara, por edhe për mundësimin e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve si, qeveria, pushteti vendore etj. “Kjo është sfida, që me financat e kufizuara që kemi në dispozicion, të realizojmë një projekt i cili të jetë i standardeve më të larta europiane sa i përket qasjes ubanistike dhe cilësisë së re që sjell në mjedis dhe të shërbejë si një model për zhvillimet e mëtejshme, qofshin ato publike apo private”, theksoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama.

Advertisement