Kështu u shpreh kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në tryezën “Për teknologjinë dhe inovacionin”. Sipas tij, sot në Shqipëri numri i bizneseve që preferojnë të jenë të aksesueshëm në rrugët e teknologjisë së re është shumë i kufizuar, ndërsa përdorimi i kësaj teknologjie nga ana e tyre është tejet modest. “Për ne është me rëndësi themelore të bëjmë disa hapa të rëndësishëm për një rrugë, e cila është e hapur, sepse është një përpjekje për të adresuar temën e inovacionit, edhe pse kjo mbetet një përpjekje që ende nuk ka afektuar mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar, të shërbimeve publike dhe mënyrën e raportimit mes individëve dhe shtetit ku jetojmë”, tha Rama. Sipas tij, inovacioni duhet të përdoret së pari për të kapërcyer hendekun midis sipërmarrjes në raport me aksesin në rrugën e konkurrencës dhe në shërbimet që sipërmarrja duhet të marrë. Kreu i PS-së vuri në dukje problemin e mospërputhjes dixhitale në regjistrimin e pronave. “Janë shpenzuar jo pak para të familjes europiane në adresë të Shqipërisë, por edhe para të taksapaguesve shqiptarë. Para ca vitesh u krye një regjistrim ortografik i Shqipërisë dhe sot shohim mospërputhje në shumë fusha dhe nisma të tjera pasi nuk kemi një inventar të të gjitha këtyre sistemeve mbi pronësinë, territorin dhe pasuritë e vendit”, theksoi Rama. Kryetari socialist theksoi dhe rëndësinë e heqjes së barrierave nëpërmjet inovacionit, në fushën e shëndetësisë, arsimit, regjistrimit të pasurisë, etj.