Takimi, i cili zgjati një orë e gjysëm, është përqendruar në raportin e dalë nga OSBE-ODIHR. Gjatë këtij takimi kryesocialisti Rama, falenderoi Stonestreet për raportin e qartë të OSBE- ODIHR-it mbi zgjedhjet, sidomos ato në Tiranë, si edhe për rekomandimet e vlefshme të bëra në këtë raport. Në fjalën tij Rama u shpreh se “Ky raport, është një gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur, që ndryshe nga raporti i vitit 2009 ndikoi pozitivisht në uljen e tensionit politik me objektivitetin dhe me qartësinë e tij. Partia Socialiste e konsideron raportin tuaj një ndihmë të çmuar dhe një pikë referimi solide për një reformë që t’i japë fund deformimeve të papranueshme zgjedhore”. Ndërsa nga ana e tij shefi i misionit ndërkombëtar të vëzhgimit vuri theksin tek domosdoshmëria e një sërë rregullimesh ligjore si dhe e krijimit të kushteve për rritjen e besimit të njerëzve tek zgjedhjet përmes një kulture politike që ta bëjë të mundur një gjë të tillë. Ndër të tjera ai shprehu gatishmërinë e misionit për të dhënë ndihmesën e vet në procesin e reformës zgjedhore, duke uruar që palët do t’i qëndrojnë vlerësimeve të bëra për raportin përmes një angazhimi konkret në adresimin e problematikave të tij. Në këtë takim kryesocialisti Edi Rama u shoqërua nga deputetët Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri.