Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi sot, pas publikimit të një fotografie, në të cilën shfaqen funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, në shoqërinë e të akuzuarit kryesor për vrasjen e kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj, pak ditë më parë në kryeqytet. Duke folur në një komunikm me mediat në selinë e PS-së, Rama akuzoi kupolën e policisë për lidhje me krimin dhe kontrabandën. “Trioja e shfaqur në fotografi me të akuzuarin për vrasjen e kryekomisarit, është organizata kriminale më e rrezikshme, është truri i korrupsionit dhe i kontrabandës”, tha ai. “Shteti është tërhequr, ndërsa krimi ka marrë yrysh, në bashkëpunim me kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit”, shtoi Rama. Ky bashkëpunim, siç e quajti ai, mes krimit dhe atyre që duhet ta luftojnë atë, “ka çuar në rritjen ekstreme të nivelit të këtij fenomeni në vend”. Rama në prononcimin e tij ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Flamur Noka, të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe të zv/drejtorit të përgjithshëm Kuliçaj.