Tiranë | Rama: Saliu po përshkallëzon grushtin e shtetit ndaj institucioneve kushtetuese

 Në një dalje të posaçme për shtyp pas tryezës me aleatët e koalicionit të majtë, lideri i opozitës akuzoi drejtëpërdrejt kryeministrin Sali Berisha për sulmin ndaj krerëve më të lartë të shtetit. “Përshkallëzimi i grushtit të shtetit nga ana e Saliut me inkriminimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës, të Prokurores së Përgjithshme dhe të Drejtorit të Shërbimit Informativ, përveçse të opozitës, ka vazhduar edhe dje përmes të ashtuquajturit Komision Hetimor”, theksoi Rama. Sipas Ramës kërkesa për të disponuar tabulatet e telefonave të Presidentit të Republikës, të Prokurores, të Drejtorit të Shërbimit dhe të një numri të konsiderueshëm deputetësh është e paligjshme dhe e mjaftueshme për të kuptuar se vrasjet e demonstruesve dhe skenari që inkriminonte opozitën si organizatore të vrasjeve si dhe mosdorëheqja e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dëshmojnë planin makabër të kryeministrit për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura kushtetuese. “As mosdorëzimi i gjashtë komandantëve të Gardës Republikane, as mos dorëheqja e Ministrit të Brendshëm , as nxjerrja e Policisë së Shtetit mbi ligjin, as arrestimet e torturat kafshërore të plot demonstruesve të pafajshëm nëpër komisariate, as sulmet rrugaçërore ndaj “Prokurores lavire” e “Presidentit horr”, as përbetimi për ekzekutimin e kryetarit të opozitës, as mosgarantimi i demonstratës homazh nga policia, nuk janë pa lidhje me njëra-tjetrën, po janë pjesë e një plani makabër për të imponuar në Shqipëri sistemin e dhunës e të frikës, në kushtet kur populli kërkon fundin e regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut”, deklaroi Rama. Kreu socialist u bëri sërish thirrje partnerëve ndërkombëtarë për të mos toleruar shembjen e shtetit dhe daljen e tij jashtë kornizave ligjore vetëm e vetëm sepse kryeministri nuk mund të jetë dakord me institucionet e pavarura. “Apeli ynë ndaj botës demokratike, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian sot është: Dhuna ndaj institucioneve përmes barbarisë antikushtetuese të një qeverie të dalë tërësisht nga korniza e ligjit dhe të një kryeministri të dalë krejtësisht nga binarët e arsyes, po kërcënon shembjen e plotë të një shteti të dobësuar sistematikisht përmes goditjeve të përsëritura ndaj pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Kjo dhunë zbulon në të gjithë përmasën e vet rrezikshmërinë që kjo qeveri dhe ky kryeministër paraqesin për këtë vend qyshse vodhën votat për të vjedhur Shqipërinë”, tha Rama. Sipas tij, kjo dhunë ilustron më së miri situatën rrënqethëse të vendit dhe fuqinë e verbër që kanë sot korrupsioni e krimi në përcaktimin e vijës së sjelljes së qeverisë. “Mos lejoni që në Shqipëri të vijojnë të ndodhin këto që po ndodhin dita-ditës në kurriz të idesë së shtetit ligjor dhe të popullit shqiptar, që kurrë nuk do ta pranojë rikthimin në kohën e errët të partisë-shtet, e të shtetit-parti. Çdo ditë që kalon e bën më të vështirë ekuilibrin e domosdoshëm që garanton stabilitetin e vendit. Ne, opozita shqiptare, jemi gati për dialog e kompromis në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve, po kurrë nuk do ta pranojmë statuskuonë e regjimit të kusarisë si stabilitet dhe as do të falim liri thelbësore të këtij populli për një siguri të përkohshme që vetëm do të rëndojë faturën e nesërme të kësaj krize të jashtëzakonshme”, nënvizoi më tej Rama. Duke shprehur bindjen se qeveria aktuale është tashmë e rrëzuar Rama u bëri apel qytetarëve të mos frikësohen nga sulmet dhe gjuha e kryeministrit, por të besojnë tek opozita dhe beteja e saj për të rikthyer vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës.

Advertisement