Duke iu referuar programit qeverisës të Partisë Socialiste, në një takim me shoqatën e investitorëve të huaj, Edi Rama, bëri propozimet e tij. “Një nga pikat që e kemi të theksuar në programin tonë është pikërisht rimbursimi i TVSH-së, të cilës do t’i shtojmë edhe iniciativat fiskale në lidhje me importin e makinerive të reja si dhe investimet. Ajo që duam të trajtojmë ne në mandatin tonë të parë është krijimi i Kodit të Tokës. Një kadastër multifunksionale e cila mungon plotësisht në Shqipëri, por që është një motor i rëndësishëm për t’i dhënë një kuptim dhe drejtim investimeve të reja dhe ekonomisë në përgjithësi. Kodi i Tokës nga njëra anë dhe një kadastër multifunksionale nga ana tjetër, së bashku do të bëjnë të mundur një ndryshim të dukshëm në drejtim të administrimit të tokës”, u shpreh Rama. Kreu socialist, siguroi investituesit e huaj jo vetëm për qëllimet e socialistëve për të bashkëpunuar me ta, por edhe për një strategji zhvillimi të infrastrukturës. Sipas zotit Rama, një plan integrues për transformimin e tërë rrjetit rrugor, do t’i lejonte prodhimeve rurale të lidhen me tregun, në një rrjet normal mbledhjeje dhe shpërndarje.