Tiranë | Rama: rikonfigurimi i KQZ-së turpëroi shtetin

Kreu socialist, Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi votimin e mbrëmshëm në Parlament, pas të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u rikonfigurua. Shkarkimin e Ilirjan Muhos dhe më pas emërimin në vend të tij të kandidatit të propozuar nga mazhoranca, Rama e cilësoi si një akt që ka turpëruar shtetin shqiptar, Kushtetutën, zgjedhjet por edhe Shqipërinë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa deputetët socialist që mbështetën me votën e tyre shkarkimin dhe më pas emërimin e anëtarit të ri të KQZ-së, Rama i quajti mercenarë të Berishës. “Ajo çka u konsumua në seancën e mbrëmshme ishte një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë falë mercenarëve, por edhe sikur në shtëpi t’i numërojë votat, Saliu do të largohet nga pushteti më 23 qershor me votë plebishitare, duke ia hequr Shqipërisë turpin”, tha Rama. Ai shprehu mirënjohje për SHBA-të dhe BE-në për qëndrimin e qartë për këtë akt brutal dhe të njëanshëm, siç e cilësoi ai.

Advertisement