Tiranë | Rama: Reforma Administrative Territoriale, jetike për zhvillimin normal të vendit

Sot në ambientet e Kryeministrisë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të projektit STAR, projekt i asistencës teknike i cili do të mbështesë gjithë etapat e reformës së re administrativo-territoriale. Ky projekt mbështetet financiarisht nga qeveria suedeze, qeveria amerikane, qeveria zviceriane dhe PNUD-i. Reforma admistrativo-territoriale është një nga reformat më të rëndësishme strukturore të shtetit që do të përmirësojë diametralisht shërbimet publike për qytetarët. Kjo reformë do të fuqizojë qeverisjen vendore dhe do të krijojë hapësira të reja për zhvillim social-ekonomik të vendit. Gjithashtu do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe do të konsultohet gjerësisht me komunitetet vendore dhe grupet e interesit. Kryeministri Rama pasi falenderoi donatorët e këtij projekti, si dhe Këshillin e Evropës, prezencën e OSBE-së dhe Agjensinë Austriake për Zhvillim për përkrahjen që i kanë dhënë dhe do ti japin qeverisë për reformën, tha se “Kjo që duam të bëjmë bashkë me ju, të dashur miq dhe partnerë të vendit tonë, nën udhërrëfimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, është historike sepse, më në fund, pas kaq shumë vitesh të humbur, mundëson marrjen në konsideratë nga ligjvënësit të ndryshimeve historike demografike, ekonomike dhe sociale, që në një thuajse çerek shekulli kanë ndodhur në territorin e vendit tonë.” “Konsolidimi i qeverisjes vendore-i bashkërenduar dhe me reforma të tjera, do të përmirësojë dhe thjeshtëzojë dhënien e shërbimeve në sektorin publik. Rezultatet e reformës do të ndihen ditë pas dite nga qytetarët e Shqipërisë në qytete dhe fshatra” – theksoi Ambasadori Arvizu, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të projektit, në emër të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po mbështesin reformën. Projekti STAR u nënshkrua nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Z. Bledar Çuçi dhe Znj. Yesim Oruc, Drejtoreshë e PNUD-it në Shqipëri.

Advertisement