Tiranë | PD nuk pranon ofertën për reformën territoriale

PD nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje konsensuale, ndërkohë që ka marrëveshje të tjera që mazhoranca i ka shkelur, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka duke folur për reformën administrativo-territoriale. “Nuk mund të realizohen apo të nënshkruhen marrëveshje të tjera me konsensus, ndërkohë që ka disa marrëveshje, të cilat janë realizuar më parë, janë nënshkruar nga të dyja palët, ka dhe një ligj të miratuar me shumicë absolute në Kuvend dhe të gjitha këto janë shkelur nga maxhoranca e sotme. Ligji “Për nëpunësin Civil” u hodh poshtë me një akt normativ nga qeveria. Dy marrëveshjet që janë bërë dhe me europarlamentarët, siç është ajo për mosprekjen e institucioneve të pavaruara, kur në mënyrë eksplicite flitet dhe për ILDKP-në dhe për AMA-n, janë marrëveshje që janë nënshkruar dhe nga opozita dhe nga maxhoranca dhe nga europarlamentarët dhe këto janë shkelur dhe dy javë më vonë kanë filluar sulmin daj ILDKP-së në mënyrë të jashtëligjshme dhe anti-kushtetuese. Sot jemi në momentet kur po sulmohet dhe AMA”, tha Paloka. Ne, vijoi Paloka, “kemi kërkuar dhe jemi të bindur që ajo reformë është e nevojshme, por nuk e di se cfarë kuptimi ka që ne të nënshkruajmë marrëveshje me një maxhorancë që nuk mban asnjë marrëveshje”. “Reforma është e lidhur me një reformë për decentralizimin e pushtetit lokal që deri sot po shkelet dhe lidhet edhe me reformën zgjedhore absolutisht. Fakti është që kjo maxhorancë synon vetëm të krijojë një hartë elektorale për interesat e saj. Qëllimi i saj është të krijojë një hartë ku të llogarisë numrat që të fitojë me harta elektorale dhe jo me votat e qytetarëve”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së. Lidhur me seancën e sotme, Paloka theksoi se, “sot seanca është për një akt normativ të radhës, me të cilin qeveria ka ndryshuar buxhetin e saj. Kur ne i ndryshonim në fund të vitit hidheshin përpjetë thoshin pse i ndryshoni. Këta e kanë ndryshuar 3 herë”, tha Paloka.

Advertisement