Tiranë – Rama reagon për sekuestrimin e librave në librarinë “Toena”

Mes librave të sekuestruar shumica e tyre janë romanet e Ben Blushit “Të jetosh në ishull” dhe “Otello Arapi i Vlorës”. Menjëherë pas incidentit ka reaguar kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i cili e ka përkufizuar këtë veprim si banditesk dhe të iniciuar nga Sali Berisha. “Ka ndodhur një ngjarje jo vetëm e shëmtuar, por edhe rrënqethëse për Shqipërinë e shekullit 21 në një fushatë elektorale kur ne të gjithë shohim me sytë nga Europa. Ka ndodhur që libra të shkruar dhe të botuar nga deputet të Partisë Socialiste nga njerëz të angazhuar në fushatën tonë në vijën e parë si Ben Blushi dhe Fatmir Toci janë sekuestruar nga xhandarë të Sali Berishës duke na kthyer pas në kohëra të zymta kur pushteti kishte armik librin. Është një ndër shprehjet më flagrante më abuzive, më arrogante e një politike të vjetër e cila do të marr fund. I bëj apel Sali Berishës të kthejë librat, të kthejë menjëherë dinjitetin e nëpërkëmbur të shkrimtarit dhe botuesit, të kthej ato që ka sekuestruar që nuk janë mallra dosido por janë libra”, u shpreh kryesocialisti Rama. Incidenti ka ndodhur rreth orës 18 të pasdites të kësaj të enjte ku forca të shumta tatimore kanë sekuestruar një sasi të madhe librash në një stendë jashtë librarisë “Toena”. Tatimorët thonë se veprimtaria e tendës jashtë librarisë ishte e paligjshme. Por drejtuesit e shtëpisë botuese “Toena” e kanë quajtur këtë veprim të tatimorëve si dhe kohën për ta ndërrmarrë këtë veprim si të papranueshëm dhe politik. Stenda jashtë librarisë kishte më shumë se një vit që funksiononte dhe sipas presidentit të Toenës Fatmir Toci, ky veprim merr ngujime të pastra politike.