Tiranë – Rama, qytetarët po paguajnë keqqeverisjen

Një alarm të tillë e ka ngritur kryesocialisti Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë e Partisë Socialiste. Sipas tij, kriza po shfaqet përditë me rritjen e çmimeve dhe mospërballimin e tyre nga ana e qytetarëve. “Sot kriza ka një kosto individuale për çdo qytetar, ndërsa nesër do të jetë kolektive për të gjithë”, tha ai. Duke paralajmëruar më tej se vazhdimi në rrugë të gabuar i politikave të qeverisë, do ta kolapsojë vendin dhe do ta çojë në humnerën e krizës që po e ndiejmë të gjithë. “Nuk ka gjasa të frenohet kriza, duke e kuruar siç po bën Berisha sot, dhe duke fshehur diagnozën apo duke përdorur ilaçet e gabuara”, apeloi Rama lidhur me këtë fakt. “Çdo qeveri ka nevojë të bindë qytetarët e tyre se ka nevojë për votat e tyre, po kur këto të fundit merren me pahir përmes një sistemi korrupsioni si ai që është instaluar në Shqipëri, atëherë ajo nuk ndjen detyrimin t’u shkojë pas qytetarëve në aspiratat e tyre”, ka ijuar më tej Rama. Sipas tij, një qeveri e cila nuk ka nevojë për të bindur kënd se i duhet vota e gjithsecilit, pasi ajo e merr atë edhe po nuk ia dhanë, është një qeveri e destinuar për të humbur. “Kjo keqqeverisje nuk ka asnjë gjasë për t’u përmirësuar, sepse buron nga pakti i lartpërmendur dhe shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre prandaj po paguajnë keqqeverisjen”, shtoi ai. Rama shtoi ndër të tjera se kjo qeveri është edhe më e papërgjegjshme se 4 vjet më parë se ka deformuar raportet me qytetarët.

Advertisement