Duke bërë një pasqyrë të punës, kryeprokurorja Ina Rama theksoi se Prokuroria e Republikës së Shqipërisë është një institucion i pavarur sipas Kushtetutës së vendit, dhe se gëzon një nga pavarësitë më të pastra ligjore në vendet e kontinentit. Ajo gjithashtu, vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve duke shprehur bindjen që ato të forcohen edhe midis institucioneve të drejtësisë. Njëkohësisht kryeprokurorja Ina Rama shtjelloi dhe prioritetet në punën e Prokurorisë së Përgjithshme duke evidentuar luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe rolin e prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve. Nga ana e tij Avokati i Popullit të Mbretërisë së Marokut, duke dhënë një pasqyrë të sistemit të drejtësisë në Marok dhe të institucionit që ai drejton, shprehu dëshirën dhe gatishmërinë e tij për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë marokene dhe asaj shqiptare.