Tiranë | Rama: projektligji për armët rrit krimin në vend

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar socialist u përqendrua në situatën e rendit në vend. Duke iu referuar rastit të vrasjes dy ditë më parë të kryekomisar Dritan Lamajt, Rama vuri theksin mbi shifrat në rritje të kriminalitetit, ku sipas tij, Shqipëria ka koeficientin më të lartë në Evropë të vrasjeve për 100 mijë banorë. “Territori i vendit është jashtë kontrollit të policisë dhe kjo e fundit është e tradhëtuar, e braktisur dhe e rrënuar”, u shpreh ai. Ashtu sikurse deputetët socialistë në komisionin e ligjeve, edhe kryetari Rama kundërshtoi projektligjin për mbajtje të armëve nga deputetët dhe një kategori biznesmenësh, pasi sipas tij, numri i lartë i armëve në duart e popullsisë ka çuar në progres të nivelit të krimit në vend. Më tej në fjalën e tij, Rama akuzoi sërish qeverinë duke thënë se, “qeveria po bën opozitën e opozitës, po sulmon idetë tona, po i kopjon por nuk i zbaton dot ato, pasi nuk ka aftësinë dhe as vullnetin e duhur për ta bërë këtë”. Në përfundim, Rama i kërkoi komisionit të ligjeve “të ketë përparësi propozimin kundër armëve dhe krimit, pasi siç u shpreh ai, nuk kemi boshllëk ligjor, por boshllëk mendor, moral, programor, ekonomik dhe social për shkak të keqqeverisjes”.

Advertisement