“Eshtë plotësuar një ëndërr për të cilën ky vend ka përshkuar rrugëtime me plot sakrifica dhe viktima. Sot u shembën muret e vizave për të gjithë qytetarët, është ora për të gëzuar dhe për të lënë pas polemikat dhe replikat”, tha Rama. Sipas tij, sot politika duhet të bëjë një hap prapa dhe t’i lërë mundësinë qytetarëve që ta shijojnë këtë ditë të pashqetësuar nga propaganda. Sot Rama i bëri homazh të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët për ëndrrën e kapërcimit të kufirit humbën jetën në det apo tokë. Po ashtu kreu socialist i bëri apel vendeve evropiane që të heqin muret e izolimit edhe për Kosovën, që edhe qytetarët e vendit më të ri në botë të kenë mundësi të lëvizin lirisht.