Duke e konsideruar fazë shumë të rëndësishme numërimin e votave, në një konferencë për shtyp nga selia e PS ditën e djeshme, Rama kërkoi që Policia e Shtetit të luajë një rol maksmalisht impenjativ në këtë fazë dhe të mos shndërrohet ne një bashkëpunëtore e pushtetit. “Policia e Shtetit të tregojë impenjim maksimal. Nuk kam vërejtje për punën e tyre, por është për të ardhur keq që në episode të caktuara vihet re një bashkëpunim në heshtje te policëve të terrenit që janë nën presion të njerëzve në pushtet”, tha Rama. Në këtë kuadër kryesocialisti, vuri në dukje se “njerëz që përdorin një pushtet politik abuzojnë me një detyrë shtetërore për të udhëhequr akte që bien ndesh me standarte të procesit zgjedhor dhe përbëjnë një agresion të patolerueshëm dhe të dhunueshëm ndaj atyre që janë ulur në qëndrat e numërimit dhe bëjnë detyrën e tyre” . Kryetari i PS vlerësoi maksimalisht punën e numëruesve të votave në këtë fazë delikate të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare. “Duhet të theksoj me forcë se kur po hyjmë në natën e dytë të numërimit të votave dhe kemi rreth 70% të kutive pa numëruar. Është momenti për të respektuar dinjitetin dhe personalitetin atyre njerëzve që po bëjnë sakritificën e qëndrimit në grupet e numërimit dhe qendrat e numërimit”. Por numri një i socialistëve nuk bëri komente për fitoren e PS. Sipas tij, rezultati tashmë dihet, dhe nuk ka komente për të. E rëndësishme sipas tij është të përfundohet me sukses kjo fazë, e rëndësishme, pa anomali si në të kaluarën. “Ne jemi të informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokimin e qëndrave të numërimit dhe kutive, sepse procesi i numërimit po hyn në fazën kur rezultate do të fillojnë të kthjellohen pas një faze të parë kur ashtu sic ndodhi dhe në 2005-ën, ku u orkestrua një proces numërimi duke hapur kutitë me rezultatet më të favorshme për ata që e bënë këtë gjë”. Rama vuri në dukje edhe vlërësimin që ndërkombëtarët i bënë procesit të votimit, ku konsideruan se nuk u arritën standartet e dëshiruara. Ndaj sipas Ramës, është momenti për të ngritur zërin që kjo natë të mos sjelle anomali dhe te mos jete të pershkallezohen veprime penguese.