Tiranë – Rama, po bëjmë realitet premtimin tonë

Deklarimin, Rama e bëri dje ndërsa ka inspektuar punimet që po kryhen për rikualifikimin urban të Parkut tek ish-Pista e Aviacionit. Duke iu referuar punës për kthimin e kësaj zone në një park të shumëkërkuar nga banorët, rrjedhojë edhe e dëgjesave publike të zhvilluara me ta, Rama përmendi se katër vjet më parë Ministri i Punëve të Brendshme të familjes Berisha e premtoi këtë park si deputet i kësaj zone. Kurse theksoi se “ai e harroi premtimin, sepse u përqendrua në grabitjen e rrugës së Kombit, ndërkohë që premtimi ynë u pengua më shumë se një vit nga bllokimi i Këshillit Bashkiak”. “Sot jemi këtu, vijoi Rama, për ta bërë realitet këtë premtim, për t’u dhënë banorëve të kësaj zone parkun e shumëkërkuar dhe të shumënevojshëm. Kurse konsideroi se kjo po ndodh, “kur Tirana dhe gjithë Shqipëria janë marrë peng nga ky pushtet i cili po rrënon shtetin e së drejtës dhe ekonominë shqiptare, megjithatë ne nuk do të ndalemi në punën tonë për të realizuar ëndrrën e Tiranës Evropiane dhe as në betejën tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga zullumi ku po e zhyt përditë pazarllëku i përditshëm, për interesat e familjes Berisha, në dëm të të gjitha familjeve shqiptare”.

Advertisement