Tiranë | Rama: për një ekonomi dinamike dhe të integruar

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur bindjen dhe angazhimin për një audit ndërkombëtar të financave të vendit. Duke folur në Konferencën me temë “Forcimi i lidhjeve në Evropën Juglindore; piketat e politikave dhe perspektiva e biznesit”, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Qendra e Studimeve për Europën Juglindore e Oksfordit, Kryeministri theksoi se ky auditim do të bëhet nga një prej katër kompanive më të mëdha ndërkombëtare dhe do të paraqesë pasqyrën reale të ekonomisë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe atë private. Kryeministri Rama është ndalur në modelin e ri të rritjes së qëndrueshme ekonomike që do të ndiqet nga qeveria e tij. Rama prezantoi nismën për ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, që do të nisë punën muajin e ardhshëm. “Do të garantojmë që epoka e marrjes peng të bizneseve nga drejtorë doganash, drejtorë tatimesh dhe gjithfarë strukturash të marrë fund ”, tha Kryeministri duke nënvizuar se sipërmarrësi do të vendoset në piedestal. Në vijim, Kryeministri nënvizoi se është vullneti i kësaj qeverie për t’i dhënë doganave dhe tatimeve të vendit fytyrën e Shqipërisë së gjeneratës tjetër. “Ne nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe. Ne duam që sipërmarrja e madhe të vetkontrollohet përmes auditit nga 4 kompanitë e mëdha dhe pastaj kontrolli të zhvillohet në përputhshmëri të plotë me respektin më të madh të atyre që bëjnë sipërmarrjen në Shqipëri ”, u shpreh Kryeministri Rama.

Advertisement