Qeveria shqiptare ka vendosur që të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2014 duke rritur për herë të parë zërat e investimeve dhe mbështetjes së shtresave në nevojë.
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një konference për shtyp, ka deklaruar shtesën në buxhet, të cilin e ka cilësuar si një “moment shumë i rëndësishëm si një periudhe ku janë shtuar të ardhurat në buxhet”. Për herë të parë në 5 vite shtesa që i bëhet buxhetit në pjesën e dytë të vitit bëhet me rritje të konsiderueshme. Rama, deklaroi se 3.2 miliardë lekë apo 30 milionë USD do të jenë në dispozicion të uljes së deficitit dhe të borxhit. Në këtë aspekt qeveria tejkalon edhe afatin e vënë në bazë të marrëveshjes së bërë me FMN, sipas të cilës do të nisë financimi për deficitin dhe borxhin në vitin 2015. Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se 4.3 miliardë lekë do të vihen në dispozicion të shtresave në nevojë dhe kryesisht personave me aftësi të kufizuara, të cilët me anë të kësaj nderhyrje mbyllin borxhin që u ka shteti prej vitesh. Kryeministri, Rama, deklaroi më tej, se në këtë shtesë të buxhetit përfitojnë edhe shumë projekte infrastrukturore që janë lënë përgjysëm apo kanë nisur pa para nga qeveria e kaluar. Kështu, 15.2 miliardë lekë do të lëvrohen menjëherë që të mbyllen segmente rrugorë të rëndësishëm që nga Valbona e deri në jug, por edhe rrugë nacionale si ajo Lushnje-Berat, Durrës-Pleka-Rrogozhinë, Korçë Ersekë edhe të tjerë. Kryeministri Rama, theksoi gjithashtu se me ndërhyrjen e bërë sot në buxhetin e shtetit i është dhënë një mbështetje edhe sektorit të Shëndetësisë, i cili ishte në situatën “kockë pa lëkurë” kur qeveria aktuale mori pushtetin një vit më parë. Me ndërhyrjen e bërë në shëndetësi, do të blihen pajisje të domosdoshme emergjence si një numër prej 20 autoambulancash dhe një helikopter, dy pajisje dialize, një për veriun dhe një për jugun e vendit si dhe do të përfundojë rikonstrukturimi i Sanatoriumit. Duke vijuar me sektorin e arsimit, Kryeministri Edi Rama, deklaroi se do të jenë 7 milionë USD që do të përdoren për futjen e teknologjisë së lartë në shkolla siç janë tabletet dixhitale. Kryeministri deklaroi se është arritur një marrëveshje me korporatën Google për të ofruar falas programin e përdorimit. Duke vazhduar me fondet e shtuara, Rama përmendi më pas rendin publik, ku 300 milionë lekë do të përdoren për mjete në mbështetje të Policisë së Shtetit. Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator dhe mesazhit të tolerancës dhe bashkëjetesës midis feve, theksoi se deklaroi se në shtesën e buxhetit do të jepet një fond i rëndësishëm për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës.