Tiranë | Rama: Parlamenti u përdor si instrument i PD

Kryeministri Rama, duke folur sot në Kuvend, vuri në dukje faktin se konflikti politik aktual, i krijuar për emrin e Xhukës, është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që ka ndodhur në sallën e Kuvendit, kur është shkelur Rregullorja e këtij institucioni. Rama gjithashtu vuri në dukje se i vetmi rast në historinë e integrimit në BE, kur një parlament futet në progres-raport si institucioni problematik dhe instrument i shumicës, ka ndodhur në vendin tonë. Por, përveç shkeljes së rregullores nga Kuvendi, ky i fundit për Kreun e Qeverisë është jo etik, jo edukues dhe jo për t’u marrë shembull nga askush. Rama e cilësoi gjuhën e komunikimit në institucionin legjislativ si shëmbullin më të keq qe përcohet në shoqëri, familje e kudo. “Prej 20 vitesh ky Parlament është shembulli më i ulët i komunikimit të raportit të së vertetës me gënjeshtrën, i cilësisë së përfaqësimit të këtij popullit. Ka cënuar e vazhdon të cënojë popullin shqiptar, kulturën e bashkëjetesës, edukatën elementare që cdo prind i jep fëmijës së tij. Në këtë Parlament dëgjon fjalë që nuk kanë lidhje me etikën, edukatën e mirësjelljen, por kanë lidhje me atë instrument të Partisë së Punës që shkallmoi raportin e të vërtetës”, tha Rama. Nga foltorja e Kuvendit Kryeministri Rama bëri edhe një propozim në funksion të zbardhjes së çështjes së 21 janarit 2011. Ai tha se “ka ardhur koha që për 21 janarin një prokuror i pavarur, i huaj, të vijë të hetojë drejtimin e çështjes. Nëse e keni kaq përzemër ta shtrijmë këtë praktikë, që nuk është ekskluzive shqiptare, të vazhdojmë”, iu drejtua Rama deputetëve të opozitës në sallën e Kuvendit. “Drejtësinë politike e bëri populli”, tha ia, referuar rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, ndërsa paralajmëroi se “së shpejti do flasë edhe drejtësia ligjore”. Nga ana tjetër Rama shprehu gatishmërinë për t’u përballur me cdo akuzë në çdo organ drejtësie. “Jam njeriu më i hetuar në Shqipëri. Jam gati t’i nënshtrohem cdo lloj hetimi. Kam besuar e vazhdoj të besoj se instrumenti i trashëguar nga Partia e Punës dhe që mbahet nga Partia Demokratike, nuk ka asnjë gjasë të cënojë integritetin tim”, tha Rama.

Advertisement