Tiranë | Rama: papunësia dhe kriminaliteti janë rritur

rama

Për të treguar këtë, Kryetari i Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist shfaqi publikisht tabelën e publikuar nga Banka e Shqipërisë më 3 shkurt të këtij viti, ku sipas Ramës tregohet e vërteta mbi rritjen e papunësisë në vend, që fakton tha ai shifrat e opozitës. Kryetari i PS-së theksoi se kjo tabelë u tregon qartë shqiptarëve se kryeministri gënjen kur tregon për rritjen e punësimit në vend gjatë qeverisjes së tij. Shefi i selisë rozë nënvizoi se qeveria ka dështuar në sfidën e punësimit duke fshehur madje edhe të vërtetën e hidhur se në vend ka 1 milion të papunë. “Tabela tregon se rritja e forcave të punës dhe rënia e numrit të të punësuarve në 10 vjet është dramatike. Nëse gënjen Banka e Shqipërisë atëherë papunësia është edhe më shumë se kaq, pasi BSH është një institucion i pavarur që e ka humbur atë si pjesë e propagandës së kryeministrit. Ndaj edhe unë sot i them kryeministrit në emër të opozitës, turp turp turp. Tri herë turp për qeverinë që ka dështuar në sfidën e punësimit, turp për kryeministrin që fsheh me rrena të vërtetën e hidhur. Turp për Saliun që gënjen me shifrat dhe opozita i duhet të thotë me zë të lartë se Shqipëria ka 1 milion të papunë, pasi qeveria është e korruptuar kokë e këmbë”, tha Rama. Duke iu referuar vrasjeve dhe akteve kriminale të ndodhura katër ditët e fundit në kryeqytet, kryesocialisti Rama tha se është rritur ndjeshëm situata e kriminalitetit në vend, duke nënvizuar se shifrat e qeverisë për kriminalitetin janë tërësisht të gënjeshtërta. Rama tha se kriminaliteti është rritur ndjeshëm edhe për shkak të rritjes së numrit të të papunëve. “Sot jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet, vendosja e eksplozivëve”, tha Rama, duke akuzuar se në Shqipëri vret vetë shteti me armë zjarri dhe kryeministri i quan heronj ata që qëllojnë me plumba mbi qytetarin. Kryetari i PS-së akuzoi gjithashtu se në krye të Policisë së Shtetit qëndrojnë njerëz të inkriminuar dhe që kontrollojnë rrugët e kontrabandës gjithfarëshe në vend. “Jeta në Shqipëri është e pambrojtur, biznesi i pambrojtur, e ardhmja e pambrojtur. Rrënjët e kriminalitetit që po ndrydh shoqërinë janë tek politika e egër që pushtetin e ka të vetmin qëllim; te drejtësia e kalbur, e nënshtruar ndaj marrjes së parave për përmbylljen e proceseve gjyqësore. Shkurt janë te mungesa e shtetit e kthyer në një pushtet për të vjedhur votat”, akuzoi shefi i selisë rozë. Edi Rama nënvizoi se PS do ta luftojë në mënyrë frontale krimin përmes programit të saj politik. Rama lajmëroi se PS do të paraqesë në Kuvend disa masa për të luftuar krimin, pasi sipas tij gjendja është e padurueshme, dhe krimi po merr përditë terren duke diktuar axhendën e lajmeve të përditshme. Kryetari i PS-së tha se vrasësit dhe grabitësit po gëlojnë në vend pasi ata e kanë vrarë frikën nga ligji, andaj duhet një qeveri tjetër që ta ndryshojë këtë gjendje. Në fund të deklaratës së tij shefi i opozitës Edi Rama iu referua fakteve më të fundit për hetimet mbi 21 Janarin duke nënvizuar se përgjegjësit e drejtëpërdrejtë për vrasjet e 21 Janarit janë ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe personalisht kryeministri Sali Berisha.

Advertisement