Kryetari i PS, Edi Rama u është përgjigjur akuzave të kryeministrit duke i konsideruar ato si një avaz të vjetër që synon të mbulojë të vërtetën e rëndë, e cila është moszbatimi nga qeveria i 13 vendimeve të gjykatave shqiptare për çështjen e qarkut të Fierit, që janë të gjitha pa asnjë përjashtim në favor të Partisë Socialiste. “Këtë qark, Fierin, ku ka humbur me turp megjithë manipulimet e 2009-ës, Saliu e mban peng, forcërisht, prej më shumë se një viti. Nuk lejon hyrjen në zyra të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Fierit. Ja pse ne, nuk do të votojmë për të kaluar në parlament një tjetër copë letër që quhet ligj për Gjykatën e Lartë, nëse vendimi i vetë Gjykatës së Lartë për Qarkun e Fierit nuk zbatohet nga qeveria.” Kësisoj sipas liderit të opozitës përgjegjësi kryesor për katandisjen e procesit të integrimit në proces totalisht burokratik, pa asnjë lidhje me realitetin ku zbatohen ligjet është vetëm Kryeministri i vendit. Në pjesën e dytë të deklaratës së tij, kryetari i PS është ndalur në skandalin e reklamave qeveritare duke theksuar se të gjitha dokumentet zyrtare provojnë se Ministri i Transportit ka financuar me paratë e buxhetit të shtetit dhe jashtë çdo kriteri ligjor, me gjysëm milioni euro, Partinë Demokratike, për gazetën e saj dhe me afro 1 milionë euro tre tribunat e shpifjeve e të sharjeve të përditshme të pushtetit ndaj opozitës: RD, 55, Koha Jonë. Sipas kryesocialistit “Në çdo vend normal një ministër që bën një gjë të tillë jep dorëheqjen dhe merret menjëherë në kujdestari nga Prokuroria”. Kryesocialisti ka siguruar opinionin publik se: “Pas nëntë muajsh do të mbyllet njëherë e mirë ky kapitull i turpshëm shpërdorimi i parave publike për llogari të partisë apo partive në pushtet duke financuar burime të propagandës qeveritare dhe aq më zi akoma, të propagandës antiopozitare.”