Tiranë | Rama: nuk do të votojmë më ligjet nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga veprimet antiligjore

rama

Madje Rama, ka paralajmëruar se nuk do të ketë më vota si e sotmja, nëse të djathtët nuk tërhiqen. “Në solidaritet të plotë me zgjedhësit tanë në Fier e në Gjirokastër dhe plotësisht i vetëdijshëm për peshën e veçantë morale e politike të deputetëve opozitarë të këtyre dy qarqeve, po edhe për kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër, përsëris apelin tim për Saliun e për Ilir Metën: Tërhiquni nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe. Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe s’mund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për t’u tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonat bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton. Integrimi europian s’është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s’mund të gënjejë as popullin as vetveten për t’u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj. Duke mos i hequr asnjë presje deklaratës së sotme në Kuvend të kryetarit të grupit parlamentar socialist, rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo gërmë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap s’do mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër.”

Advertisement