Ky është mesazhi që ka dhënë Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në fund të fjalimit të tij, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, ku ishin të pranishëm edhe 200 grevistët që morën pjesë në protestën 19 ditore. Kreu i PS-së ka lënë të kuptohet se nëse nuk arrihet një zgjidhje, atëherë PS-ja do t’u rikthehet sërish protestave. Rama ka theksuar se “edhe pa u hapur kutitë të gjithë e dinë që Berisha i vodhi votat”. Kreu i PS-së ka përsëritur gjatë gjithë fjalimit të tij se greva e urisë ishte e suksesshme. “Sot qeveria nuk qeveriset nga ata që janë zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedh. Kjo është një beteje për të drejtën e shkelur për liritë e mohuara”, tha Rama.