Tiranë | Rama: Ndryshim rrënjësor gjendjes mesjetare në shërbimin doganor

Agjencia britanike “Crown Agents”, prezantoi sot planin strategjik për reformën doganore. Në konferencën e mbajtur sot me temë “Administrata Donagore, çdo doganier një shërbëtor i biznesit”, Kryeministri Edi Rama vlerësoi se, dogana është një institucion themelor shtetëror, që i shërben në të njëjtën kohë europianizimit dhe sigurisë. Sipas tij, “roli i doganës është esencial në mbrotjen e konsumatorit dhe kanë arsye jetike për mbarëvajtjen e shtetit dhe shoqërisë”. Ndërsa e vlerësoi si të lavdërueshme punën e deritanishme të drejtueses së re të doganave shqiptare, ai tha se “janë hedhur hapat e parë në rrugën e duhur dhe kanë dalë edhe problemet akute që i tregojnë faktet dhe shifrat. Por, sipas tij, “qasja jonë ka të bëjë me transformimin rrënjësor të këtij institucioni, me transformimin rrënjësor të kulturës së punës, të vijës së sjelljes me shtetin dhe individin, të çdo doganieri”. Siç u shpreh Rama, “kjo është edhe arsyeja, pse ne kemi kërkuar asistencën e “Crown Agents”. Për kreun e qeverisë, nëse duam të arrijmë synimet për transformimin rrënjësor të sistemit doganor, thelbësore është edhe puna në skuadër. Ndërsa kërkoi që administrata doganore duhet të ketë uniformën e saj të veshjes për një prezantim sa më serioz, Kryeministri Rama paralajmëroi se ajo do t’i nënshtrohet trajnimeve nëpërmjet projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kompania britanike “Crown Agents” që u kontraktua në muajin nëntor për asistimin në punën e doganave shqiptare u prezantua sot në Tiranë. Ekipi prej 12 pjestarësh nën drejtimin e David Smith do të punojë duke pasur në fokus një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj kërkoi, që çdo punonjës doganor, të zbatojë detyrën me shumë përgjegjësi dhe t’a trajtojë sipërmarrësin në bazë të ligjit e me njerzillëk, duke e konsideruar partner për zhvillimin ekonomik. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se përmes asistencës së kompanisë britanike “Crown Agents”, synojmë që doganat t’i bëjmë pjesë të zhvillimit tonë të ri, me qasje krejt të re ndaj biznesit dhe me një motiv krejt të ri të përgjegjësisë ndaj shtetit.

Advertisement