Tiranë | Rama: Ndërtoni suksesin në Shqipëri, qeveria partnere

Forumi Ekonomik i Vjenës, një platformë debati periodik mbi të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë europiane e globale, i kushtoi sot një Konferencë të veçantë Shqipërisë, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama. Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor. Në prezantimin e tij, Kryeministri foli për masat e para emergjente për frenimin e ngadalësimit ekonomik, për zhvillimin e një modeli të ri ekonomik që bazohet në rritje të qëndrueshme ekonomike, në reformat në sektorët kyç të ekonomisë, Në vendosjen si prioritare të investimeve publike në mënyrë që mbështetja qeveritare të shkojë aty ku është nevojshme dhe për një qasje të re në marrëdhëniet midis shtetit dhe sipërmarrjes. “Ne, u shpreh Kryeministri, kemi vetëdijen e plotë se “ne kemi hedhur hapat e parë dhe jemi inkurajuar nga reagimi që kemi pasur – nga Kancelarja Merkel, kur unë vizitova së fundmi, Berlinin – por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, qeveri dhe institucione të tjera, të cilët shohin rrugën nëpër të cilën ne po përpiqemi të shkelim dhe duan të na mbështesin”. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Rama, po punon intensivisht për të ngritur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe në këto përpjekjet, ajo është mbështetur edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. “Që nga shtatori, ne kemi ndërmarrë një numër të madh masash për të frenuar ngadalësimin e ekonomisë. Ne kemi nënshkruar një Marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për një program të ri që do të na sigurojë likuiditetin e nevojshëm për të shlyer borxhet e prapambetura të trashëguara nga qeveria e kaluar, sikurse edhe një monitorim të kujdesshëm të financave tona publike, si edhe të politikave të shpenzimeve publike. Aktualisht jemi edhe në bisedime me Bankën Botërore, për dy Kredi për Politikat Zhvillimore dhe për reformimin e sektorit energjetik. Me këtë mbështetje, ne do të eliminojmë në një kohë të shkurtër, borxhet e fshehura, të trashëguara dhe do të nisim gjithashtu, reforma radikale në sektorë kyç”, tha Rama. Ndërsa vlerësoi investimet austriake në Shqipëri, që shtrihen në një numër të konsiderueshëm sektorësh të mëdhenj, Kryeministri shprehu angazhimin për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me Austrinë dhe sipërmarrjen austriake. “Ne duam të përfitojmë nga marrëdhënia e veçantë mes Shqipërisë dhe Austrisë për të pasur mbështetje, por edhe të marrim sa më shumë që është e mundur nga eksperienca austriake në fushën e trajnimit profesional”, theksoi Rama. Për Kryeministrin Rama, investimet e huaja janë të një rëndësie jetike për ekonominë. Për këtë, qeveria është e angazhuar maksimalisht për krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet dhe eliminimin e çdo pengese që i ka bërë më parë investitorët të hezitojnë të vijnë në Shqipëri. “Shumë shpejt, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria shqiptare do të themelojë Këshillin e Investimeve, një entitet që do të sigurojë një platformë të institucionalizuar dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit me investitorët në vendin tonë dhe në rajon”, u shpreh Rama. Në mbyllje të fjalës, Kryeministri i drejtoi një apel pjesëmarrësve: “Testoni vendosmërinë tonë dhe të vini dhe të bëni biznes në Shqipëri.” “Unë besoj fort se Austria mund të luajë një më të rëndësishëm, por unë jam i vetëdijshëm ndërkohë që nuk u takon e kompanive austriake të bëjnë hapin e parë, por na takon ne. Sepse ne kemi nevojë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të jemi realisht në pozitën për të bindur çdo sipërmarrës, që ajo çfarë ne kemi nevojë është jo vetëm çka Shqipëria ka nevojë, por po ashtu është ajo çka çdo kompani që do të vijë të investojë në Shqipëri, ka si domosdoshmëri për të mirën e sipërmarrjes së vetë”, tha Rama. Në Vjenë, Kryeministri Rama u takua edhe me Kancelarin e Austrisë, ëerner Faymann, i cili inkurajoi progresin e deritanishëm dhe shprehu mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë në rrugën e saj të modernizimit dhe integrimit. Gjithashtu, Kryeministri vizitoi edhe Dhomën Federale të Tregtisë.

Advertisement