Sipas kreut të PS-së, nisma e opozitës nis me imunitetin, por më pas përfshin edhe reforma të tjera shumë të rëndësishme. “Ndërhyrja në Kushtetutë nuk duhet të kufizohet vetëm me heqjen e imunitetit. Opozita është në mbështetje të heqjes apo kufizimit të imunitetit. Por imunieti nuk është e vetmja pengesë për luftën ndaj korrupsionit. Kushtetuta ka nevojë për rishikim në funksion të sistemit të drejtësisë”, tha Rama. “Loja e fajësimit të opozitës në fakt është e vetmja rrugë për kryeministrin. Me çdo kusht dhe mjet duhet fajësuar opozita. Rrugës së qeverisë për borxhet dhe boshatisjen e arkës së shtetit i ka ardhur fundi. Të ardhurat janë në rënie të vazhdueshme. Në nivelin vendor s’ka investime, ndërsa në nivelin kombëtar janë ulur dhe vazhdojnë të ulen. Gropën që Sali Berisha po hap për të dytën herë në 20 vjet në ekonominë e vendit nuk e mbushin paratë që mbeten për shtetin pas privatizimeve grabitqare”, u shpreh Rama, duke shtuar se me fitimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm të gjitha pasuritë e vëna në mënyrë të padrejtë do t’i rikthehen popullit. Sipas kreut të opozitës, pabesia ndaj publikut sa i takon lotarisë kombëtare është shembulli më i qartë i kësaj qeverie dhe raportit me qytetarët. “Sa i takon imunitetit gjithë shqiptarët e dinë se si kanë përfunduar në komedi gjyqet e ministrave, të cilët pa imunitet nuk janë dënuar aspak. Imuniteti është vetëm një pikënisje dhe jo pikëmbërritje. Imuniteti duhet kufizuar dhe pikë, por sot kushtetuta duhet rishikuar në kuadër të një reforme në drejtësi”, u shpreh Rama. Sipas tij, nuk qëndrojnë as akuzat e maxhorancës se opozita po bllokon sërish marrjen e statusit të vendit kandidat, duke mos votouar heqjen e imuniteteve. “Askush nuk ka bërë sa PS për fitimin e statusit kandidat. Të gjithë janë në dijeni për qasjen tonë konstruktive. Do të votojmë edhe draftin për Konferecën Gjyqësore të enjten”, tha Rama.