Kreu i socialisteve ka deklaruar se qëllimi i konferencës është apeli që i drejton të gjithë atyre që sipas tij janë përfshirë në katastrofën e përmbytjeve në Shkodrës ose siç e quan Rama, “Gërdeci i veriut”. “U bëj apel të gjithë atyre që janë përfshirë në Gërdecin e veriut po përpiqeni të zhdukni provat që tregojnë se jo zemërimi o zotit po ju njerëzit e paguar nga populli për të prodhuar energjinë elektrike në postet kyçe drejtuese politike dhe teknike jeni shkaktarë të Gërdecit të ujit që këputi në mes mijëra familje shkodrane. Zgjeroi dhe thelloi gropën e zezë të buxhetit të këtij shteti të shkatërruar ku u faturoi të gjithë taksapaguesve shqiptarë një tjetër çmim të pamerituar të keqqeverisjes të Sali Berishës” tha Rama. “Mos e bëni është e kotë, nuk i keni bindur të gjithë ata që duhet të marrin pjesë në falsifikime por mesa duket nuk duan që të gjithë të përfundojë në Prokurori e Gjykatë si rrogëtarët e vegjël të Gërdecit me zjarrë të 15 marsit të vitit 2008 ndërkohë që arkitekti i fabrikës së vdekjes është në krye të Qeverisë” tha më tej Rama. Kreu i opozitës deklaroi se dikush ka dalë nga rreshti dhe tashmë opozita disponon shifra dhe fakte që bëjnë përgjegjës shtetin në katastrofën e veriut.