Bëhet fjalë për programin e ri bazë të partisë si edhe dokumentin e ri të strukturave organizative. “Kemi në dorë dy instrumentet që na duhen për të shkuar fitues në zgjedhjet e ardhshme. Do t’i shtjellojmë në qytet e fshat për ti përmirësuar e duke mundësuar kështu daljen e vendit nga kriza. Ndërsa, risitë organizative janë një mundësi e re për ta hapur e forcuar PS-në”, tha Rama përpara deputetëve. Edhe sot kryesocialisti është ndalur në deklaratën e kryeministrit Berisha lidhur me heqjen e taksave, kryesisht të bukës dhe ushqimeve të tjera, duke konfirmuar se me ardhjen e së majtës në pushtet, ato do të hiqen. “Me këto masa radikale ulja e kostos së jetesës do të jetë e ndjeshme, do ti bëjmë realitet kur të vijmë në pushtet. Saliu i refuzon sepse nuk ia ndjen për Shqipërinë jashtë oborrit të tij. Ne do t’i heqim këto taksa si edhe ato të imputeve bujqësore”, sqaroi kryesocialisti. Pas rritjes së tensionit politik, sidomos mes deputetëve të dy kampeve politike Rama përsëriti se PS do t’i qëndrojë politikës së dorës së shtrirë. “Është e pajustifikueshme shprehja brutale e deputetëve të PD në komisionin e ligjeve. Por, ne do të vazhdojmë politikën e dorës së shtrirë, do të vazhdojmë të shohim përpara dhe statusi i kandidatit është provë e kësaj garancie”, tha kryetari i socialistëve.