Tiranë – Rama, më 10 tetor protesta e popullit opozitar më të vendosur se kurrë

“Veshët e shurdhër të Sali Berishës ndaj kërkesave tona tërësisht legjitime për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit; Vullneti i mbrapshtë për të mos lejuar hapjen e kutive ku mbahet mbyllur në mënyrë të paligjshme e vërteta e 28 qershorit; Përshkallëzimi i hakmarrjes politike të pushtetit të grabitur në 28 qershor ndaj njerëzve që flaken nga puna pse janë përfshirë në aktivitetin elektoral të opozitës” deklaroi Rama. “Gjendja e rëndë e vendit dhe e shoqërisë në kushtet e thellimit të krizës së demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, e vendosin tërë opozitën shqiptare, grupet politike e shoqërore dhe çdo individ që refuzon të jetojë kokulur në një vend ku s’ka asnjë barazi para ligjit e ku çdo liri dhe e drejtë është e kërcënuar papushim, përpara detyrimit patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral e mashtrimin publik” shtoi më tej Rama. Në emër të Partisë Socialiste, Rama ftoi të gjithë, të shtunën e ardhshme 10 tetor, në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit ku fshihet e vërteta e 28 qershorit, ku mbahen peng liritë e të drejtat e shumicës, ku është burgosur ligji dhe ku e kanë burimin padrejtësitë që po shtohen në kurrizin e njerëzve. “Sali Berisha gënjen veten nëse mendon se do ta shtyj gjatë, duke bërë shurdhin dhe duke ftuar opozitën të hyj në Parlament, pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e procesit zgjedhor që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen. Unë i them Kryeministrit se do të përballet me popullin opozitar të shumicës në çdo hap të rrugës së tij dhe se opozitën e dialogut dhe të konsensusit që ndërtoi një proces historik mirëkuptimi në të mirë të vendit dhe të reformave integruese në NATO e në BE, do ta ketë përballë, më të vendosur se kurrë në çdo hap të rrugës së tij, për t’i dhënë fund pushtetit të tij, nëqoftëse pushteti i tij nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të shkuara për t’i mbyllur rrugë manipulimit dhe korruptimit të zgjedhjeve të ardhshme” tha më tej Rama.

Advertisement