Tiranë | Rama: Marrëveshje me Google për modernizimin në arsim

Banka Botërore do të mbështesë reformën në arsimin shqiptar që ka si synim rritjen e performancës dhe cilësisë.

Këtë e ka deklaruar Drejtoresha Rajonale e BB-së, Ellen Goldstein, gjatë një Konferencë të nivelit të lartë në lidhje me politikat dhe reformat në sistemin arsimor shqiptar. Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore, e cila ka hapur dialogun, ka nxitur një diskutim që do të çojë në zbatimin e një reforme, e cila sipas saj do të nxisë punësimin. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në fjalën e tij, theksoi se sistemi arsimor kishte humbur busullën orientuese dhe ne e kemi gjetur busullën me pika të qarta orientimi duke nisur nga themeli. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se puna ka filluar që nga dokumentacioni i kurrikullës e deri tek përmbajtja e mësimdhënies. Kryeministri Rama, deklaroi se “Mbështetja e Bankës Botërore është e rëndësishme, sepse nga njëra anë ekspertiza na ka dhënë mundësinë t’i shikojmë gjërat saktë, por mbetet e rëndësishme sigurimi i burimeve financiare për të vendosur standardet në realitet. Po bëjmë përpjekje me BB dhe institucione të tjera apo përmes iniciativës për integrimin e Ballkanit Perëndimor me financimet e BE-së për ta përfshirë edhe arsimin në këto paketa”. Ndërkaq, duke folur për arsimin e lartë, Kreu i qeverisë theksoi se shpesh fajet i janë hedhur vetëm financuesve privatë, por në fakt situata është e rëndë edhe në sektorin publik. Konferenca e nivelit të lartë në lidhje me reformën në arsim vazhdon punimet dhe do të mbyllet pas mesditës.

Advertisement