Rama doli para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë, ku tha se “patëm një debat lidhur me fillimin e sesionit të parë të legjislaturës dhe lidhur me përcaktimin e qëndrimit të PS, të Grupit të saj Parlamentar, për një Parlament të cilin rezoluta e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS e konsideron me legjitimitet thellësisht të cenuar. “Qysh prej këtij përcaktimi, është e qartë që marrëdhëniet me Parlamentin nuk mund të jenë marrëdhënie të pa kushtëzuara, pra Partia Socialiste, Grupi i saj Parlamentar nuk mund të jenë pjesë e jetës parlamentare njësoj si do të ndodhte në rast se ky Parlament do të ishte shprehje e vullnetit sovran të popullit dhe jo e deformimit të këtij vullneti përmes një farse zgjedhore, si ajo që sapo ka mbaruar, por që ende vazhdon në kurriz të njerëzve që përndiqen në kuptimin e plotë të fjalës për shkak se kanë marrë pjesë në fushatën e PS, për shkak se janë angazhuar me opozitën dhe largohen nga vendet e punës ditë për ditë”, theksoi Rama. Në vijim ai sqaroi se Grupi Parlamentar i PS sot do të vendosë, “sepse është ai grup që ka fjalën e fundit, por Kryesia vendosi që t’i përcjellë grupit propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, pra PS do të jetë pjesë e këtij Parlamenti pasi shumica e tij me një mandat politikisht jo legjitim, të konsideroj dhe të plotësoj kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me gjithë kuadrin e demokracisë dhe të garës demokratike në vendin tonë”. Kreu i PS paralajmëroi se “ne nuk mund të pajtohemi më me zgjedhje pak më të mira se të tjerat, por plot me probleme. Domethënë, i sëmuri është pak më mirë, por vazhdon të jetë i sëmurë, sepse morëm përsipër nisma shumë të mëdha, morëm përsipër kosto politike të caktuara, duke u bërë pjesë e një sërë reformash që i dhanë vendit anëtarësimin në NATO dhe e futën vendin në një rrugë të re”. Këtë nuk e bëmë, vijoi Rama, për t’u gjendur në qorrsokakun e vjetër të zgjedhjeve që i bëjnë qytetarët dhe pastaj i vendos pushteti i bërë njësh me shtetin, në sajë të një makinerie elektorale të kthyer tërësisht në një makineri të njehsuar me të gjithë fuqinë abuzive të shtetit”.