Tiranë – Rama letër presidentit Topi, kemi prova për lirimin e kriminelëve gjatë fushatës

“Autoritetet e larta shtetërore kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e “lejeve të përkohshme”. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe “autoriteteve” të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet por për sigurinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale” thuhej në letrën që Rama i ka dërguar presidentit Topi. Vijon letra e plotë e dërguar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Shkëlqesisë së tij zotit Bamir Topi. President i Republikës së Shqipërisë. I nderuar zoti President, Më lejoni të ndaj me ju shqetësimin serioz që zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane të lirisë e të ndershmërisë së tyre por nxorën ndër të tjera në pah edhe një problem mprehtësisht kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit nga autoritete të larta shtetërore që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e “lejeve të përkohshme”. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe “autoriteteve” të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet por për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale. Duke kërkuar prej jush në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të konsideroni me autoritetin e instancës suaj materialin bashkangjitur, të siguruar prej nesh në rrugë konfidenciale lidhur me sa parashtrova. Ju uroj punë të mbarë. Sinqerisht, Edi Rama.

Advertisement