“Në emër të interesave të vendit dhe në funksion të axhendës evropiane opozita e ka parë të udhës të paraqesë një ofertë të re” thuhet në letrën drejtuar kreut të qeverisë e publikuar nga zyra e shtypit të PS-së. Gjithashtu në letrën e tij kreu i PS-së Rama thekson se për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t`i japë fund krizës politike të vendit” PS-ja nuk kërkon fletët e votimit për hetimin e zgjedhjeve por vetëm materialet zgjedhore. Kryetari i PS-së Rama gjithashtu ka theksuar se me nisjen e procesit të hetimit, opozita është e gatshme të nisë dhe dialogun për reformën zgjedhore. Rama gjithashtu shkruan se këtë ofertë e përmban propozimi që ai vetë disa javë më parë i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha. “Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumentave apo provave që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përvec rasteve kur këto dokumenta janë në administrim të gjykatave apo organeve të ndjekjes penale” thekson Rama. Letra e kreut të PS-së Rama, i është dërguar gjithashtu edhe presidentit të komisionit europian Hose Manuel Barozo, komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle dhe drejtuesve të grupimit të së djathtës e së majtës në Parlamentin Europian.


