Tiranë | Rama: kryeministri ëndërron një konflikt me opozitën

rama

Sipas kreut socialist, mandati i deputetit të opozitës nuk ka lidhje me dorëzimin e mandateve nga dy deputetët e PD-së, Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferri, të përmendur nga kryeministri. “Mandati i deputetit të opozitës nuk ka lidhje me krahasimin që bëri kryeministri kur i referohet dorëzimit të mandatit nga dy deputetët e tij që konkuruan për kryetar bashkie; sepse funksioni i deputetit është kushtetutshmërisht i papajtueshëm me funksionin e kryetarit të bashkisë. Një deputet nuk mund të garojë për kryetar bashkie duke qënë deputet, por nga ana tjetër kandidati ynë për kryetar bashkie në Fushë Krujë nuk ishte deputet kur garoi dhe asnjë detyrim ligjor nuk e përcakton asgjëkundi që të jepte dorëheqjen nga lista e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që gara për deputetë kishte mbaruar dy vjet më parë dhe ai ishte qytetar si gjithë të tjerët”, sqaroi Rama. “Pas dorëheqjes së një deputeteje, zotit Gjon Bardhit iu dha normalisht nga KQZ mandati i deputetit duke ndjekur radhën, por ai zgjodhi të vazhdojë punën si kryetar bashkie dhe refuzoi me shkrim mandatin e deputetit, duke dhënë dorëheqjen. Sipas ligjit, ai dorëzoi mandatin sipas rregullave dhe vendi bosh duhet të plotësohet. Tani KQZ pret nga Kuvendi vendimin për procedurat e dorëheqjeve dhe mandatimeve për të vazhduar me emrin e radhës në listën e PS”, vijoi sqarimin e tij Rama. Kryetari i PS-së theksoi se pas këtyre deklaratave, kryeministri nuk e fsheh dot se e ëndërron një konflikt me opozitën, me qëllim që të ketë një justifikim se opozita po bllokon, edhe në rastet kur kërkon atë që i takon.

Advertisement