Tiranë | Rama: kriza energjitike po thellohet

alt

“Një krizë e thellë, e cila është baraz me rrezikun e falimentimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë po thellohet, ashtu siç po rritet barra mbi të gjitha familjet shqiptare që paguajnë energjinë. Kompania u privatizua me bujë dhe sot për përgjegjësi të qartë të qeverisë shqiptare, por dhe për përgjegjësi të kompanisë, gjendja është shumë e rëndë dhe janë njerëzit e thjeshtë që po paguajnë koston e padrejtë të një privatizimi të pamenduar mirë dhe të një menaxhimi, përgjatë të cilit qeveria shqiptare nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Sipas tij, asnjë target që lidhet me uljen e humbjeve teknike dhe kryerjen e investimeve sot, nuk rezulton të jetë e shenjestruar dhe kjo ka çuar në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët. “Mbifaturimi masiv i konsumatorëve familjarë tanimë është një operacion i përditshëm dhe kjo ka bërë që mijëra qytetarët t’i drejtohen gjykatave. Nga ana tjetër për shkak të mospagesës së faturave të kompanive dhe institucioneve shtetërore vetë kompania regjistron humbje të papërballueshme dhe efekti zinxhir shtrihet në borxhet e mëdha karshi KESH, i cili është vendosur në vështirësi financiare”, u shpreh kryetari i PS-së. Rama tha se sot kemi pamje më të qartë të pasojave të një politike të verbër në raport me koncesionet për HEC-et dhe anomali totale për burimet hidroenergjetike. “Qëllimi është të mbushet arka e shtetit që është në krizë, por kjo nuk është zgjidhje, pasi situata do rëndohet duke rritur çmimin e energjisë”, tha ai.

Advertisement