Tiranë | Rama kërkon heqjen e imunitetit të kryeministrit

rama

Në një dalje të posaçme për mediat, lideri socialist tha se kryeministri i vendit dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha janë përgjegjësit kryesorë të ekzekutimit të katër qytetarëve nga Garda e Republikës. Kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi se heqja e imunitetit të tre deputetëve të PS-së është për opozitën tërësisht e pamjaftueshëm, ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i kryeministrit Sali Berisha. “S’ka komandant garde, që jep urdhër për të ekzekutuar pa marrë urdhër nga lart. Drejtësia shqiptare s’mund të mjaftohet me kapjen e ekzekutorëve të demonstruesve, dje dhe nesër, pa kapur urdhëruesit e vrasjeve”, deklaroi kryesocialisti Rama. Duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të gjithë grupit parlamentar socialist për t’u hetuar lidhur me organizimin e protestës së 21 janarit, kreu socialist kërkoi nga Gjykata e Apelit të rievokojë në arrest me burg masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për ish-kreun e Gardës së Republikës Ndrea Prendi, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie. “Jam i gatshëm të hetohem bashkë me deputetët dhe nuk e kuptoj se ç’ka bërë më shumë se unë, secili nga tre deputetët e PS-së, për të organizuar demonstratën e 21 janarit. I bëj apel Prokurorisë të na përfshijë të gjithëve, mua të parin, në hetimet e saj, dhe kemi të gjithë gatishmërinë për të dhënë kontributin. Aq më tepër se unë nuk kam asnjë imunitet. Qëndrimi ynë për heqjen e imuniteteve për çdo çështje hetimi është i njëjtë”, theksoi Rama. Ai rishprehu përgëzimin e tij për Prokurorinë e Përgjithshme, për të cilën tha se hodhi një hap të madh në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, që pasuan vrasjen e katër demonstruesve nga garda e hordhisë.

Advertisement