Në bashkëbisedimin e tij me mediat, kryesocialisti Rama theksoi se “Shtypi ka denoncuar përfshirjen e një sërë emrash të rëndësisë më të lartë, qoftë të mafias pulieze, qoftë të qeverisë shqiptare në aktivitet të përbashkët në territorit e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një nga shprehjet më spektakolare të dështimit të shtetit në parandalimin e pastrimit të parave dhe investimit të parasë së zezë të krimit dhe të mafias, në aktivitetet fitimprurëse, siç është edhe aktiviteti i stërnjohur botërisht në historinë e krimit, i lojërave ë fatit, që shpesh herë bie në duar tërësisht të pista, por që lëvizin përmes krahëve të pushtetit”, tha zoti Rama. Duke shenjestruar, Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, kryesocialisti ka ashpërsuar tonet duke nënvizuar se “Është përfshirë përsëri Ministrja e Integrimit dhe unë nuk kuptoj se çfarë duhet të ndodh tjetër, që zonja të largohet nga qeveria. Fakti, që në këtë qeveri thuajse të gjithë janë të zhytur në batakun e veprimtarive të paligjshme, në konflikte interesi, në procese korrupsioni, nuk do të thotë që sido qoftë të mos ketë masa dhe kërkesa legjitime, për largime të domosdoshme”, shtoi Rama. “Ministrja e Integrimit aq më tepër në kushtet kur Shqipëria sot është në një moment delikat të këtij procesi, duhet të largohet. Është e mbingarkuar me skandale si rezultat i përfshirjes së të afërmve të saj, për shkak se janë të afërmit e saj e jo se kanë ndonjë talent të veçantë, në veprimtari në konflikt të pastër interesi dhe së fundi edhe në një veprimtari, që sipas fakteve të sjella nga shtypi është mirëfilli kriminale”, bëri me dije kryetari i Partisë Socialiste. Ai i ka kërkuar organeve të drejtësisë të kryejnë hetime të plota, për përfshirjen e ministres së Integrimit dhe familjes së saj në aferat kriminale.


