Tiranë | Rama kërkon bashkëpunim për Presidentin e ri

Friday, December 19, 2025

“I bëj sot thirrje publike kryeministrit Sali Berisha që t’i lerë në këtë moment akuzat, shpifjet dhe gënjeshtrat apo fjalimet me dokrra për arritjet e tij imagjinare, pasi është koha e konsensusit për Presidentin, që garanton unitetin e popullit dhe jo koha e luftës ndaj opozitës”, tha Rama në një deklaratë për mediat. Kreu i PS-së theksoi se deklarata më e fundit e komisionerit Fule dhe vizita e sotme e ministrit danez të Çështjeve Evropiane tregojnë qartë se jemi në një moment kur miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për të na ndihmuar në emër të interesave të vendit tonë dhe familjes evropiane, të cilët kërkonjë t’i ndihmojmë me rezultate konkrete. “Kryeministri nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi interesat e tij personale. Ky është një moment historik për Shqipërinë, sepse vendi ndodhet përpara udhëkryqit për zgjedhjen e presidentit dhe udhëkryqit të provimit të madh të vjeshtës. Ne nuk mund ta marrim statusin e kandidatit në BE, nëse nuk mbyllim në kohë reformën zgjedhore para 24 majit. Në këtë moment historik kryeministri po bën shurdhin ndaj kërkesës sonë për dialog për zgjedhjen e kreut të ri të vendit, i cili duhet të jetë një President për gjithë shqiptarët, ndërsa Berisha e kërkon ta ketë në shërbim të tij”, tha Rama. Kreu socialist theksoi se tani nuk është koha për të thelluar përçarje, por është momenti për të dalë nga llogoret tradicionale të politikës dhe për të bashkuar të gjitha energjitë në funksion të zgjedhjeve, që sot bëhen për të ardhmen.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -