Tiranë | Rama-Kasparov: Investimi në dije, investim për mirëqenien

Në kuadër të programit inovativ “Sporti në Shkolla”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me legjendën e botës së shahut Geri Kasparov. Në këtë takim të ftuar ishin edhe të rinj e të reja, nxënës, sportdashës të shahut, mes të cilëve edhe ish kampionë shqiptarë të këtij sporti. Dy ministri, ajo e Inovacionit dhe e Arsimit, së shpejti do të ndërmarrin nismën për përfshirjen e sportit të shahut në kurrikulat mësimore, program i cili do të hyjë fillimisht si një projekt pilot në 10 shkolla të vendit. Kryeministri Edi Rama theksoi përkushtimin e qeverisë për të vënë në dispozicion të këtij programi inovativ gjithë kapacitetin e mundshëm material dhe njerëzor. Duke vlerësuar projektin pilot si një hap më shumë drejt progresit, Rama tha se përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejtë në rritjen e kapacitetit të kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Duke shprehur kënaqësinë për kontributin e një figure të mirënjohur si Kasparov në këtë program, kryeministri theksoi se ky është një investim i domosdoshëm për dijen dhe mirëqenien. Sipas Kryeministrit, projekti në fjalë është një investim i mirëfilltë dijesh për mirëqenien e së nesërmes. “Sot, kush investon më shumë në dije, investon më shumë në mirëqenie, nesër. Kështu që, ky është një investim në dije, është dhe një investim në mirëqenie. Prandaj dhe për ne është një investim shumë i rëndësishëm” shtoi ai. Nga ana e tij, ish kampioni i botës në shah Kasparov, duke vlerësuar këtë nismë të qeverisë shqiptare u shpreh se sporti i shahut është një instrument i përsosur në përgatitjen e brezit të ri për sfidat e arsimit modern.

Advertisement