Tiranë | Rama kandidon në qarkun e Vlorës, të përjashtuarit për hir të rikonfigurimit

Lideri socialist Edi Rama gjatë një konference për shtyp, motivoi sot përjashtimet e atyre figurave që nuk do të jenë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë. Pasi vlerësoi dhe falënderoi deputetët socialist për kontributin dhe rezistencën opozitare gjatë këtij 4-vjeçari, Rama tha se, “emrat e disa prej deputetëve aktual nuk do të përfshihen në lista për hir të rikonfigurimit të domosdoshëm të skuadrës”. Ai tha se, do të jetë kryesia e partisë që do të certifikojë këtë skuadër, ndërkohë që deklaroi se vetë ai, do të kryesonte listën e qarkut të Vlorës. Duke apeluar për mos hatërmbetje në radhët e të përjashtuarve, ai shtoi se, “ripërtëritja është pjesë e ADN-së së PS-së, e cila do të sjellë transformimin e Shqipërisë”. Rama vlerësoi më tej se, “skuadra kombëtare për rilindje në të cilën janë përfshirë vlera të shtuara ripërtëritëse, do të konsolidojë atë çka kemi ndërtuar në këto vite, duke riafirmuar bazën e vlerave, përmbajtjen njerëzore, politike dhe morale dhe kulturën e bashkëjetesës”. Referuar përbërjes së listave ende të pafinalizuara, lideri i së majtës theksoi se “kjo skuadër vazhdon harmonizmin e gjeneratave në procesin ku brezat i lënë stafetën njëri-tjetërit pa krijuar çarje brenda saj”. Gjithashtu Rama përsëriti premtimin se pas ardhjes në pushtet të opozitës, pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv do të jenë të shkëputuar nga njëri-tjetri. Për të gjithë ata që kishin aluduar për mospërshirje të deputetit Erjon Braçe në radhët e skuadrës për rilindje, Rama siguroi se “Erjon Braçe është një nga pjesëtarët e skuadrës sonë kombëtare dhe ka vendin që i takon në frontin e një beteje ku askush nuk është i domosdoshëm por çdokush është i nevojshëm”.

Advertisement