Tiranë | Rama ftesë LSI-së: t’i kthejmë popullit të drejtën e qeverisjes

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka bërë zyrtarisht ftesë Lëvizjes Socialiste për Integrim për tu bashkuar në koalicion për zgjedhjet e 23 qershorit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryetari Rama theksoi se në kushtet ku ndodhet vendi, në këtë situatë të rëndë për qytetarët shqiptarë, vetëm një koalicion forcash me vullnetin e madh për bashkim mund ta izolojë Berishën dhe planin e tij të lexueshëm për vjedhjen e zgjedhjeve. “Që vullneti të mbahet prej çdo manipulimi dhe të hapim një periudhë transformimi rrënjësor duhet të fillojë sot zyrtarisht procesin e një koalicioni sa më të gjerë për të garantuar zgjedhjet, për të fituar zgjedhjet, për të dalë fitues në sfidat e mëdha të kohës dramatike për vendin, në emër të interesit kombëtar e publik dhe PS për të materializar përmes instrumentit të qeverisjes programin për rilindje dua të shpallim vullnetit për të hapur një faqe të re të historisë së bashkëjetesës sonë me LSI, e ftoj sot direkt e publikisht LSI-në, që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt nga kundërshtari të vijë në koalicion parazgjedhor me PS si dy forca të së majtës” tha Rama. Sipas tij, e shkuara i ka dhënë mësimet për të mos përsëritur gabime që në 8 vjet i kanë kushtuar vendin dhe të majtës. “Berisha dhe PD s’kanë qenë asnjë ditë shumicë në popull, por prej 8 vitesh kanë ushtruar pushtet të marrë falë ndarjes sonë. E panatyrshme dhe e pafalshme para vendit që PS të mos bëjë gjithçka ka në dorë për të rihapur rrugën e bashkimit që siguron votën në 23 qershor duke i kthyer shumicës së popullit të drejtën e qeverisjes, nga ky bashkim humbet vetëm pakica, PD që nuk ka lidhje me asgjë demokratike e ka përfituar falë manipulimeve zgjedhore e ndarjeve në kampin tonë” tha më tej ai. Sipas Ramës nuk duhet të ketë me asnjë dyzim më shumë në rrugën ku ka 8 vjet që përfaqëson historikisht pakicën dhe humbet një popull. “Sot duhet bashkim, askush nuk duhet t’i trembet, gjithkush që do rilindjen duhet ta kuptojë se realizohet mes pushtetit dhe jo ngurrim për tu bashkuar në funksion të fitores. Kështu fiton cdo njeri i zakonshëm që nuk voton, nuk mendon e nuk jeton dot i lirë për shkak të shantazhit politik që ka ndërtuar kryeministri dhe partia e tij familjare” tha Rama. Ai ka pranuar se e shkuara ka hijen e vet që pengon sot të shohë qartë, rrezikun që i kanoset zgjedhjeve dhe perspektivën të shohë bashkimin.

Advertisement