Ai u shpreh se nuk janë marrë masat e duhura për të shmangur katastrofën e përsëritur. “Dramë e përsëritur me të njëjtën skenë, që është zona e Shkodrës, fajtori për ketë dramë është dhe kryeministri i këtij vendi falë votave të vjedhura”, tha Rama. Ai u shpreh se përmbytjet kanë ndodhur në mënyrë të përsëritur. “Jo një herë në 100 vite, por mund të ndodhë edhe 5 herë në vit”, tha Rama. Ai ju referua deklaratave të mëparshme të kryeministri Sali Berisha të bëra në Janar të vitit 2010 duke theksuar se nuk janë mbajtur premtimet. “Le të kthehemi pak në kohë kur veriu i Shqipërisë u përmbyt si kurrë më parë dhe Saliu fajësoi natyrën, shirat, hënën blu, fajësoi kë mundi edhe zotin vetë, por nuk mori mbi vete përgjegjësinë që i takonte atij dhe qeverisë së tij për mijëra hektarë tokë të përmbytura”, tha Rama sot në bashkëbisedimin me gazetarët. Rama u shpreh se për gjatë gjithë këtij viti nuk ka pasur asnjë investim në lumin Buna dhe situata ishte e pritshme. “Po i vodhe votat do t’ja dish gjithmonë e më pak për hallet e njerëzve. Ka kaluar një vit, asnjë ndërhyrje dhe në mungesë të kësaj ndërhyrje të domosdoshme dhe degradimit skandaloz që i është bërë gjithë sistemeve të rrjedhjes dhe kullimit të ujërave, Buna patjetër do të shkaktojë dëmet që shkakton, sepse është lënë tërësisht e lirë dhe askush nuk merret me të. Askush nuk merret me këtë problem të madh që ka gjithë Shqipëria, sapo pushon shiu”, tha Rama.