Duke iu referuar videoskandalit dhe dorëheqjes që e pasoi, Rama e konsideroi aktin e ish zëvendëskreministrit dhe ish ministrit të ekonomisë thjesht si një lëvizje të detyruar, ku ka ndërruar vetëm emri i individit por dikasteri i Ministrisë së Ekonomisë mbetet sërish një pronë që duhet ta mbajë LSI-ja. “Ikja e një Ministri, tha Rama, nuk ndryshon asgjë sepse ka mbetur sistemi i korruptuar qeverisës për sa kohë është në krye të punëve të vendit qeveria e Sali Berishës.” Ndërsa koalicionin PD-LSI Rama e ka cilësuar thjesht si një bashkim kusarësh e matrapazësh të cilët janë bashkë për të vjedhur prona e pasuri publike të shqiptarëve. Rama gjithashtu i ka bërë thirrje studentëve për të qenë në 21 Janar në demonstratën që do të zhvillohet pa flamuj e simbole politike partiake. “Ky nuk është për ne një rast për të marrë pushtetin, ky për ne është rasti kur të gjithë shqiptarët dhe ata që nuk janë pjesë e kampit tonë opozitar të reagojnë dhe të protestojnë për të ndryshuar rrjedhën e këtyre ngjarjeve dhe për të rivendosur sistemin duke garantuar që qeveria dhe qeverisja të rifuten në kontroll. Rifutja e tyre në kontroll vjen nga vota” theksoi Rama.


