Në mbledhjen e Grupit Kuvendor të PS-së, Rama theksoi se kryeministri orkestroi një sulm vulgar kundër Prokurores së Përgjithshme, kur ndodhet përballë provave të pakundërshtueshme të FBI-së. “Të enjten do të votojmë në mbështetje të Prokurorisë për 3 deputetët tanë, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare. I falenderoj deputetët për qendrimin e tyre, vënia e tyre ne dispozicion të Prokurorisë në mbështetje të hetimit të 21 janarit, e nderon PS-në. E mbështesim pa asnjë lëkundje dhe kusht hetimin dhe prokuroren, e cila gjendet përballë një presioni barbar të pushtetit. Vrasjet po zbardhen njëra pas tjetrës mbi prova të padiskutueshme, përmes provave të FBI. Ina Rama nuk është Silvia Konti kur na intereson dhe lavirja e bulevardit kur nuk na intereson, por Prokurorja e Shqipërisë.” deklaroi Rama. Sipas kryesocialistit, “qëndrimi politik për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ka të bëjë me interesin e Shqipërisë në përpjekjen për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe nuk mund ta çojmë përpara pa ndihmën e ndërkombëtarëve.” Më tej Rama nënvizoi se ndëshkimi i vrasjeve është mësimi më i mrië që drejtësia mund t’i japë politikës. “Kushtetuta nuk mund të shkelet duke vrarë njerëz dhe as të përdoret si argument për të justifikuar vrasjet e qytetarëve. Tragjedia duhet zbardhur e ndëshkuar pa humbur kohë. Duhen ndëshkuar edhe përpjekjet e qeverisë për të fshehur provat.” Rama bëri të ditur se PS-ja do të çojë shumë shpejt në Kuvend një nismë për financimin e 2 shkollave shqipe dhe një materniteti në Luginën e Preshevës. “Do të vihemi menjëherë në lëvizje për të mundësuar një ndihmë të parë për bashkësinë shqiptare të Luginës së Preshevës. Një maternitet dhe 2 shkolla shqipe janë të nevojshme. Le të formulojmë sa më parë një nismë ligjore paralamentare për këtë çështje.” deklaroi Rama.