Tiranë – Rama, do të vijojmë protestat. Në Kuvend nëse plotesohen kushtet

“Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në Parlament me t’u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare, në Berat këtë të premte, e më tej në qytete të tjera, duke zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë” tha Rama. Sipas Ramës, PS është e shqetësuar për gjendjen e vështirë ku është katandisur Parlamenti shqiptar dhe kthimin e tij në një hallkë krejt formale të shtetit, e cila një herë në javë funksionon për interesat e pushtetit. “Ky Parlament pa legjitimitet, që mbahet hapur si shkollë nate vetëm falë një pazari interesash familjare e klanore, nuk mund të përballojë asnjë sfidë në këtë kohë kur vendit i duhen hapa të guximshëm politikë e ligjorë për të dalë nga bataku i krizës së demokracisë, i krizës së shtetit të së drejtës dhe i krizës së ekonomisë që po thellohen dita-ditës. Zhytja e përditshme në batakun e krizës së trefishtë ku ka rënë vendi nuk mund të mbulohet me paradën e rëndomtë të qeverisë në mediat e vëna në shërbim të plotë të saj dhe nuk mund të ndalet me propagandën e shëmtuar anti-opozitare të pushtetit” shtoi më tej Rama. Ndërkohë kryesocialisti Rama deklaroi sot se numri i firmave të qytetarëve mbi nismën ligjore për hapjen e kutive shumë shpejt do të mbërrijë në 50 mijë.

Advertisement