Rama është takuar me banorët dhe u ka shpërndarë personalisht planin me cështjet për të cilat Partia Socialiste angazhohet të kryejë gjatë 4 viteve të ardhshme. Në këto takime Rama ka ndarë shqetësimin me banorët për legalizimin e banesave të tyre. Vetë Rama i ka premtuar që pas ardhjes në pushtet do të bëjë të mundur legalizimin e banesave të tyre. “Qeveria aktuale, që ju ka premtuar se do ju legalizojë brenda një viti, pas 4 vitesh nuk e ka bërë. Kjo qeveri kishte kohë plot për të bërë të mundur legalizimin e banesave tuaja, por nuk e bëri. Nuk e bëri se kishte hallin e punëve të veta, kjo është punë tjetër. Premtimi ishte se për një vit do ju legalizoj të gjithëve, por pas 4 vitesh nuk ju ka legalizuar. Fatin tuaj ia la në dorë Shabanit se vetë u mor me fatin e shtëpisë së vet. Ndërsa unë ju them se do t’ju legalizojmë, por edhe do të përmirësojmë kushtet e jetesës dhe infrastrukturës dhe nuk do tja lemë këtë punë Shabanit të radhës por do ta drejtoj vetë unë” u shpreh kreu i PS-së Rama, në bashkëbisedimin me banorët. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë edhe në njësinë numër 4 në zonën e Alliasit. Në takimin me banorët e kësaj zone të kryeqytetit Rama u shpreh, “këtu është njësoj sic ishte Tirana në vitin 2000, pas 28 qershorit do t’ju përfshijmë brenda Tiranës. Pas 4 vitesh rrugët këtu do të bëhen ashtu sic i ka Tirana sot”, tha Rama.