Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi pasditen e sotme një takim me studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Në fjalën e tij Rama shprehu shqetësimin mbi kujdesin shëndetësor që ofrohet për qytetarët shqiptarë. “Shqetësuese për ne është mënyra se si financohet kujdesi shëndetësor në Shqipëri dhe si ndahet kontributi mes shtetit dhe qytetarëve. Nëse Shqipëria që nga viti 1995 e ka ngritur kujdesin shendetësor mbi kontribute sot vetëm 7,5 lekë nga 100 lekë vijnë nga kontributet, ndërkohë që 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe pjesa tjetër vijnë nga njerëzit në nevojë për këtë kujdes shëndetësor”, tha Rama. Sipas kryesocialistit, sistemi i kontributeve dhe skema e financimit përmes sigurimeve shëndetësore ështe e dështuar, pasi bazohet në xhepin e individit dhe rëndon mbi atë që është më i dobët. Rama solli në vëmendje të studentëve të mjekësisë se në vitin 2009 qeveria ka premtuar se buxheti i shëndetësisë do të rritej me 60%, ndërkohë që është rritur vetëm më 15 %, dhe sipas tij, kjo rritje nuk i korrespondon nevojës për kujdes shëndetësor. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri gjithashtu me dije se në 28 mars hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet shëndetësore, por opozita nuk do ta pranojë atë. “Ky ligj rëndon drejtëpërdrejt tek të vetëpunësuarit, pra tek biznesi i vogël. Çdo person i vetëpunësuar duhet të dijë që në fund të vitit do të paguajë 70 dollarë më shumë për sigurimin shëndetësor. Por kjo nuk do të ndodhë, se ligjin e 28 marsit ne do ta palosim bashkë me gjithë legjislacionin për shërbimin shëndetësor në Shqipëri dhe t`ia lëmë të shkuarës, për të hapur një legjislacion të ri shëndetësor që do të bazohet në parimin e universalitetit që i përket të pasurve dhe të varfërve”, tha Rama gjatë takimit me studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

Advertisement