Në një konferencë për mediat, Rama shprehu mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe vlerësoi ata që dhanë jetën për këtë ditë. “Uroj vëllezërit e motrat në Kosovë, Gëzuar 4 vjetorin e Pavarësisë! I uroj kryeministrit Hashim Thaçi suksese të mëtejshme në drejtimin e shtetit të Kosovës. Kjo është një datë që do kujtohet me admirim gjithnjë nga kombi ynë, do kujtohet me adhurim UÇK-ja dhe Adem Jashari, po ashtu edhe lideri historik Ibrahim Rugova. Kjo është dita e përjetshme e dëshmorëve që vunë jetën e tyre në themelet e shtetit të Kosovës”, tha Rama. Rama ka folur dhe për qëndrimin e Serbisë ndaj Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se politika serbe duhet të kuptojë se tashmë kjo është një çështje e mbyllur. Ai ka theksuar se Beogradi nuk duhet të bëhet pengesë për integrimin në Bashkimin Europian. “Nuk ka ditë më të mirë se kjo për të thënë se do jemi në krah të Kosovës kur vihen në diskutim kufijtë territorial të Kosovës, kur cenohet integriteti i saj territorial, jemi kundër çdo përpjekje për të futur në historinë e saj fantazmat e së shkuarës, që Kosova i mbylli me luftën heroike. Serbët ta kuptojnë se Kosova iu ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë, ata s’bëjnë gjë tjetër veçse mbajnë peng të ardhmen e tyre në BE”, tha Rama në deklaratën e dhënë paraditen e sotme.