Tiranë | Rama: dialog edhe mes kundërshtarëve

alt

“Dakordësia për zgjedhjen e Presidentit të Republikës është e rëndësishme për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, tha Kryetari i PS-së Edi Rama. Sipas Ramës, takimi i sotëm ishte në kuadrin e nimës së PS-së për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e palëve parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, që duhet të jetë mishërim i unitetit kombëtar siç e parasheh Kushtetuta jonë dhe jo një noter partiak. “Ai që çuditet nga takimi im i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin dhe më pas me Sali Berishën i them se kur flasim për dialog do të thotë dialog edhe mes kundërshtarëve, nuk do të thotë, ne monologun tonë dhe qeveria monologun e vetë”, tha Rama. Ai tha se, “Shqipërisë i duhet sot një president, i cili të garantojë në radhë të parë kapërcimin e kësaj prove jashtëzakonsisht të rëndësishme për të marrë statusin e kandidatit”. “Shqipërisë i duhet një president i cili të garantojë pavarësinë e institucioneve që varen prej tij dhe aktivitetin kushtetues së tyre, të jetë garant për të gjithë shqiptarët në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Interesi i vendit e kërkon këtë gjë, Shqipëria, SHBA dhe BE e kërkojnë, ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë duke vënë në dispozicion të gjitha energjitë tona, pikërisht në emër të kësaj kërkese”, tha Rama. Kreu i PS-së tha se, “ne nuk mund të predikojmë një proces dakordësie dhe një konsensus të domosdoshëm sot për vendin, duke qëndruar në llogoren tonë dhe duke bërë sehir llogoren e qeverisë”. “Është koha për të komunikuar me të gjithë, është koha për të dhënë gjithçka që mund të japim në mënyrë që nga ky proces të dalë rezultati i pritshëm në funksion të interesit kombëtar, qytetar dhe në funksion të procesit të integrimit”, tha në përfundim Rama.