Tiranë | Rama: Deficiti buxhetor nga pensionet, 430 milionë dollarë

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “në Shqipëri është koha për ta reformuar rrënjësisht sistemin e pensioneve dhe të shkojmë drejt një pensioni dinjitoz”.

Gjatë konferencës për “Reformën e pensioneve”, Kryeministri Rama tha se “na takon neve që ta bëjmë këtë reformë edhe pse koha i ka ardhur me kohë, siç po bëjmë reformën territoriale, legalizimet dhe një tjetër reformë në vijim për pronën dhe me radhë një paketë reformash të munguara me një kosto marramendëse për vendin”. Kreu i qeverisë u shpreh se “nëse ky ishte viti i daljes në pension i atyre që janë siguruar në sigurimet shoqërore në 1949 dhe vitin tjetër është dalja në pension e atyre që janë regjistruar në 1950 , nuk i takon kësaj gjenerate të marrë përsipër koston e e akumuluar në vite nga një politikë dritëshkurtër, që e ktheu sistemin e pensioneve në një gropë, ku rrezikon të bjerë e gjithë Shqipëria në rast se sot nuk e bëjmë këtë reformë”. “Në Shqipëri ka 570 mijë pensionistë dhe 700 mijë kontribues, të ardhurat nga kontributet i referohem vitit 2013 janë rreth 51 miliardë lekë ose 510 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet e këtij instituti për të gjithë ata që marrin përfitime nga këto kontribute janë 95.6 miliardë lekë ose 956 milionë dollarë, që do të thotë se mes kontributeve dhe pensioneve kemi një gropë prej 430 milionë dollarë dhe vetëm ata të cilët pushtetin mund ta konsiderojnë si një instrument për të bërë gjithçka tjetër, por jo një qeverisje, mund ta linin vendin të vinte deri këtu deri në pikën ku ne sot e kemi të domosdoshme një reformë që koha e kërkon me urgjencë”, theksoi Rama. Kryeministri Rama u shpreh se “ka kohë që Banka Botërore e institucione të tjera financiare, për të ndihmuar qeveritarët tanë kanë thënë reformoni pensionet se ne një ditë do të gjendeni në buzë të greminës. Kurrë nuk kanë dëgjuar sepse ka qenë më lehtë të gënjeheshin pensionistët me ato rritjet e pensionit populiste që nuk ishin asgjë tjetër sidomos vitet e fundit sesa indeksim i inflacionit sesa të uleshim e të bënim këtë reformë”. Gjithsesi, vijoi ai, pas analizës së situatës buxheti i 2014 e ka rritur me rreth 5 % në raport me vitin e kaluar planin e ISSH-së duke siguruar një fond 100 miliardë lekë, 100 milionë dollarë, sepse çdo vit ka ardhur duke u rritur ky fond sepse gropa shkon duke u zgjeruar. “Por 2014 nuk mund të mos jetë viti që ne të mbyllim këtë kapak dhe të hapim një kapitull të ri duke bërë reformë që do t’i ketë efektet e menjëhershme në 2015″, tha Rama. “Rritja e pensionit për gratë do të jetë 2 muaj në vit, pra kush do të dilte në 1 janar do të dalë në fud të muajit shkurt të vitit të ardhshëm dhe sigurisht ne jemi të vetëdijshëm për peshën e madhe që ka kjo reformë dhe për rëndësinë jetike që ka për vendin ky projekt”, nënvizoi Rama. Kreu i i qeverisë shprehu bindjen se qeveria është e vendosur të shtrojë përpara gjtihë opinionit dhe të interesuarve për debat një dokument me opsione të hapura për ballafaqim këndvështimesh dhe për t’i dhënë kohë publikut të mësojë të vërtetën dhe të mos detyrohet të mbytet në një lugë ujë, siç ndonjëherë e detyrojnë ata që punojnë për ta dizinformuar për qëllime kryesisht politike.

Advertisement